Presidenti Meta njeh zgjedhjet dhe dekreton thirrjen e Parlamentit të ri/ Ja data ….

Presidenti i vendit Ilir Meta ka njohur zyrtarisht Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit, duke thërritur seancën e parë të premten e 10 Shtatorit. Në dekretin e firmosur nga presidenti thuhet se parlamentit aktual i mbaron afati në 9 Shtator, dhe një ditë më pas do të thërritet dhe seanca që do të startojë legjislaturën e 10-të. Pas më shumë se dy vitesh nga djegia e mandateve, në këtë Kuvend do të rikthehen PD dhe LSI, edhe pse qëndrimi që ato mbajtën për zgjedhjet e 25 Prillit ishte i ashpër, duke e quajtur procesin një masakër zgjedhore.


Nga ana tjetër jo më larg se ditën e nesërme zhvillime priten dhe në selinë rozë, ku në mbledhjen e asamblesë së PS-së me shumë gjasa Rama do të prezantojë dhe ekipin që do të qeverisë vendin në katër vitet e ardhshme. Pavarësisht sinjaleve të ndryshme për mundësinë e një qeverie me bazë të gjerë, javët e fundit kanë treguar se ajo ka gjasa që të ndodhë. Lulzim Basha riformatoi ekipin e tij të ngushtë, pas zgjedhjeve të brendshme në parti ku u rikonfirmua si kryetar, duke zgjedhur dhe kreun e ri të grupit parlamentar të demokratëve, që do të jetë Alfred Rushaj, një figurë që ka ardhur duke u ngjitur rishtas në PD.

Me interes pritet dhe qëndrimi që pritet të mbahet për ish-kryeministrin Sali Berisha, i shpallur non grata në SHBA, i cili ka refuzuar që të heqë dorë nga mandati i deputetit me vullnet të lirë. Kreu i PD-së Basha, tashmë ndodhet në një situatë të vështirë edhe në marrëdhëniet me amerikanët, e veçanërisht ambasadoren Kim, e cila është investuar edhe publikisht në largimin e Berishës nga Kuvendi.

Sa i takon PS-së ajo do të këtë një mazhorancë solide në Kuvend, me 74 mandate, PD 59, LSI 4 dhe PSD 3.


D E K R E T PËR THIRRJEN E MBLEDHJES SË KUVENDIT TË PORSAZGJEDHUR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 65 pika 1, 67 pika 1, dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të datës 25.04.2021, rezultati përfundimtar i të cilave është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes Vendimit nr. 21, datë 13.07.2021, të Komisionit Rregullator, si dhe në kushtet kur Legjislaturës së IX-të të Kuvendit, i përfundon mandati në datën 09.09.2021,

D e k r e t o j:

Neni 1

Ditën e premte, në datë 10 shtator 2021, ora 10:00, thirret për t`u mbajtur mbledhja e parë e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekretit 13207 

Tiranë, më 01.09.2021

Urdhri i qeverisë shkakton kaos në spitalet greke, rreth 10 mijë punonjës rrezikojnë pezullimin

Me skadimin e afatit për vaksinimin e detyrueshëm të punonjësve shëndetësorë të mërkurën, Ministria greke e Shëndetësisë po përgatitet për një “eksod të madh” të personelit për shkak të pezullimeve – që do të pasohen nga një sërë masash parandaluese për të mbushur boshllëqet dhe siguruar që shërbimet të jenë plotësisht funksionale.


Këto masa përfshijnë një riorganizim të punonjësve të kujdesit shëndetësor brenda spitaleve, bashkime të klinikave dhe departamenteve, zëvendësimin e atyre që janë pezulluar me personel ndihmës dhe partneritet me sektorin privat për shërbimet mbështetëse të tilla si ushqimi, kujdesi etj. E mërkura është dita e fundit që stafi të marrë të paktën dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19 në mënyrë që të shmangë pezullimin nga puna që nga nesër. Qeveria ka këmbëngulur se legjislacioni përkatës për vaksinimet e detyrueshme do të zbatohet në mënyrë rigoroze.

Ata që janë të përjashtuar nga parimet e legjislacionit janë padyshim ata që tashmë janë vaksinuar dhe punëtorët që janë infektuar me koronavirus brenda gjashtë muajve të fundit.Ata që nuk bëjnë pjesë në këto kategori dhe nuk kanë marrë miratimin për përjashtim për shkak të çështjeve shëndetësore nga komitetet kompetente do të pezullohen. Për më tepër, siç sqarohet nga ish –Zv.Ministri i Shëndetësisë, Vassilis Kontozamanis, bazuar në sistemin e listës së pagave në sektorin publik, i cili siguron pagesën paraprake të përfitimeve çdo dy javë, qeveria do të kërkojë që ata të kthejnë këtë shumë të pagës si të paguar padrejtësisht.

Duke folur në stacionin radio 9.84 të martën, Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimeve Shëndetësore Yiannis Kotsiopoulos vlerësoi se rreth 10,000 punonjës shëndetësorë nuk do të vazhdojnë të punojnë në Sistemin Kombëtar të Shëndetit. Sipas të dhënave më të fundit, më shumë se 90% e mjekëve dhe 80% e infermierëve ishin vaksinuar kundër Covid-19, ndërsa përqindjet janë më të ulëta për pjesën tjetër të personelit.

Nis sot mësimi plotësues në të gjithë shkollat e vendit/ Ja sa do të zgjasë ky proces

Nis sot mësimi plotësues në të gjitha shkollat e vendit. Ky vendim, për zgjatjen e kësaj faze, çoi në shtyrjen e nisjes zyrtare të procesit mësimor për vitin shkollor 2021-2022. Gjatë periudhës së mësimit plotësues, nxënësit nuk janë të detyruar të shkojnë çdo ditë në shkollë, ndërsa mësuesit dhe të gjitha stafet shkollore do të jenë aty me kohë të plotë për të ofruar krahas mësimit plotësues, edhe veprimtari të ndryshme sportive, artistike dhe kulturore.

“Duke vlerësuar dhe shqyrtuar me kujdes shqetësimet dhe sugjerimet e ardhura nga mësuesit dhe prindërit, vendosëm të zgjasim periudhën e mësimit plotësues deri në nisjen e vitit të ri shkollor, jo më 13 shtator, por më 27 shtator 2021. Gjatë periudhës së mësimit plotësues, që nis që më 1 shtator, nxënësit nuk janë të detyruar të shkojnë çdo ditë në shkollë, ndërsa mësuesit dhe të gjitha stafet shkollore do të jenë aty me kohë të plotë për të ofruar krahas mësimit plotësues, edhe veprimtari të ndryshme sportive, artistike dhe kulturore. Faleminderit dhe suksese të gjithëve!”, tha ministrja më 20 gusht, datë në të cilën publikoi edhe vendimin në fjalë.


Rifillon programi i kontrollit mjekësor bazë për çdo qytetar nga 35-70 vjeç

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një postimi në Facebook ka bërë me dije se prej ditës së sotme në çdo qendër shëndetësore do të rifilloj programi i Kontrollit Mjekësor Bazë.

“Në çdo qendër shëndetësore në vend, nga sot do të kryhet sërish kontrolli i plotë mjekësor #falas për çdo qytetar 35-70 vjeç, i dobishëm për parandalimin e sëmundjeve kronike dhe monitorimin e pasojave post-covid.

KontrolliMjekësorBazë #SiJe 🍏 RuajShëndetin”, shkruan Ministrja e Shëndetësisë.


Sapo u mbush me karburant në Maliq/ Makina shpërthen në flakë në ecje, lëndohet shoferi dhe pasagjeri

Një makinë është përfshirë nga flakët gjatë paradites së sotme në Vloçisht, Maliq. Pasi është furnizuar me gaz në nje prej pikave të karburantit në vendin e quajtur Gryka e Pocestës, sapo ka dalë në rrugë makina është përfshirë nga flakët duke shkaktuar panik te drejtuesi dhe pasagjeri. Në kushte të tilla, drejtuesi i mjetit i përfshirë nga flakët ka humbur kontrollin e makinës duke përfunduar në kanal në anë të rrugës. Sipas burimeve janë dëgjuar tre shpërthime.


Drejtuesi i makinës dhe pasagjeri kanë marrë djegie në trup dhe janë dërguar në spital ku dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të dy kanë pësuar djegie në krahë dhe fytyrë.Zjarrikësit kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe kanë dhënë ndihmën e parë për të lënduarit.

“Maliq/Informacion paraprak. Më datë 01.09.2021, rreth orës 07:20, në fshatin Vloçisht, Maliq, ka rënë zjarr në një automjet në ecje, i cili sapo ishte furnizuar me lëndë djegëse (gas) në një karburant në afërsi të këtij fshati. Për pasojë kanë pësuar djegie, drejtuesi dhe pasagjeri të cilët u dërguan për mjekim në Spitalin e Korçës. Shërbimet e zjarrfikëses, kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.


https://twitter.com/korcablog/status/1433012172154707969?s=21

Nga sot ndryshon ora policore ! Ja të gjitha masat e reja

Sot futen në fuqi një pjesë e masave të reja kundër përhapjes së COVID-19. Duke filluar nga data 1 Shtator, ora policore nga 24:00 deri në 06:00 që ishte dje, sot do të shkojë në 23:00-06:00. Ndërsa, nga data 6 Shtator, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte: pasaportën e vaksinimit, testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve ose të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit. Gjithashtu u vendos vaksinimi me detyrim për tre kategori; personeli shëndetësor, arsimtarët dhe studentët.

Masat e vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve:


Duke filluar nga data 1 Shtator, ora policore nga 24:00 deri në 06:00 që është sot, do të shkojë në 23:00-06:00.

Duke filluar nga data 6 Shtator, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:

1.Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.

2.Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.

3.Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.
Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.


Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit në vlerësim të përgjegjshmërisë qytetare për mbrojtjen e shëndetit publik ka vendosur rekomandimin e vendosjes së vaksinimit të detyruar për grupet më të riskuara nga marrja dhe sidomos nga shpërndarja e infeksionit, duke filluar me stafet mjekësore, me arsimtarët dhe me studentët.Vlerësohet që Shtatori, duke qenë muaj i hapur, të jetë periudha që të gjithë stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët, të kryejnë vaksinimin dhe deri në datën 30 Shtator të dorëzojnë vërtetimin pranë qendrës së tyre të punës dhe për studentët pranë zyrave të përcaktuara nga Institucionet e Arsimit të Lartë kopjen e kartës së vaksinimit të dalë nga e-Albania.

Pas kësaj date, për ata të cilët nuk e kanë, do të kërkohet paraqitja periodike e testit PCR për të verifikuar infektueshmërinë. Përjashtim do të bëhet vetëm për ata që kanë indikacion mjekësor të përcaktuar me dokument mjekësor për mosbërjen e vaksinës. Një dokument i cili do të vlerësohet me përgjegjshmëri përveç mjekut dhe specialistit që e ka dhënë edhe nga specialisti i Institutit të Shëndetit Publik.

Penaliteti për paraqitjen për marrjen e PCR në mënyrë periodike do të fillojë vetëm pas datës 30 shtator.


Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.

Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritje në masën 5 mijë lekë. Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar.