Ministrja britanike nuk i ndahet shqiptarëve: “Po punojmë me Qeverinë shqiptare për të inkurajuar kthimin e tyre në atdhe…

Në një shkrim për të përditshmen britanike “The Mail+”, Braverman ka mbrojtur qëndrimin e saj, pavarësisht se më parë ishte paralajmëruar nga administrata ku bën pjesë, se këto komente mund të ngjallin reagime të shumta dhe madje edhe të nxisin nacionalizmin e ekstremit të djathtë në Britani. “Po punojmë nga afër me Qeverinë shqiptare për të adresuar shqetësimet tona dhe për inkurajuar kthimin e qytetarëve shqiptarë në atdhe, sa më shpejt të jetë e mundur”, shpjegon ajo.

Për këtë, Braverman pretendon se ka një plan të mirë për t’i ndaluar kalimet nga kufiri detar dhe flet në emër të gjithë popullit britanik, duke pretenduar se të gjithëve “u ka ardhur në majë të hundës” me varkat që kalojnë brigjet e tyre ilegalisht.

Ajo artikulon më tej se është e padrejtë që populli britanik të paguajë 2 miliardë paundë çdo vit për emigrantët që thyejnë sistemin. Ndaj, marrëveshja me Francën, shihet edhe si zgjidhje e gjithë gjësë. Me një rrugë të gjatë përpara, por me optimizëm, ajo e përmbyll duke shkruar se Britania është një vend bujar, i cili do të trajtojë gjithnjë njerëzisht personat që shkojnë atje.

Por, për emigrantët e jashtëligjshëm, në ishull, nuk ka vend.

“Ky është plani im”, përmbyll ajo, në një kohë kur kritikat direkte kanë ardhur edhe nga vetë kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili duke folur për median shtetërore britanike “BBC”, ka kundërshtuar termin e përdorur nga Braverman për të përshkruar shqiptarët si “pushtues”, duke artikuluar se 140 mijë syresh, kanë krijuar një komunitet tepër solid dhe kontribuues në shoqërinë britanike.


Advertisement

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.