Oriola Marashi vishet si“murgeshë” për Halloween(Foto)

Oriola Marashi ka surprizuar ndjekësit me veshjen që zgjodhi për Halloween. Modelja shumë e komentuar ka bërë një zgjedhje të guximshme duke u kthyer në një “murgeshë”. Megjithatë, kjo nuk është pritur mirë nga shumë ndjekës, të cilët e kanë cilësuar veshjen si mungesë respekti. Ndërsa shumë kanë komentuar se duket bukur, të tjerë kanë vënë në pah se: “Më duket si mungesë respekti”, “Edhe fenë nuk e lini pa e degraduar për disa like më shumë”, “Kaq pa respekt. Më pëlqen dhe je shumë e bukur por deri kur do të talleni me të krishterët”, shkruajnë disa komentues….


Rama në Mollas: “Fakti që këtu janë shitur 80% të mollëve flet shumë, fermerë janë në rrugën e suksesit

Kryeministri Rama u shpreh se fermerët dhe ecuria e tyre është mjaft e suksesshme, e gjitha kjo është e dukshme nga shifrat. Nga Mollasi qe shquhet për prodhimin e mollëve, Rama tha se qeveria është gjithnjë pranë tyre pasi pavarësisht punës së lodhshme, ajo do të shpërblehet. Kreu i qeverisë tha se puna e fermerëve do t’i bashkëngjitet edhe bashkëpunimi me bashkitë në mënyrë që kërkesat e tyre të plotësohen hap pas hapi.

Këtu në këtë zonë ka një traditë por ka dhe një vazhdimësi rritjeje. Ashtu sikurse dhe sesi shifrat flasin, që puna juaj është e mundimshme por shpërblehen. Fakti që këtu janë shitur 80% të mollëve flet shumë. Flet për të ardhurat, por edhe për atë pjesë gjithnjë e më të vogël që t’i përshtatet logjikës së tregut. Tregut duhet t’i adaptohemi me kërkesat e tij. Është për të ardhur keq kur fermerët hedhin prodhimet e tyre. (…)

Dhe sot, shumë fermerë janë në rrugën e suksesit. Fakti që ka një tendencë të re kthimi në fshat nga një numër i vogël të rinjsh por që po rritet hap pas hapi flet shumë për të ardhmen e jo shumë viteve larg. Normalisht që ka kushte që duhet të plotësohen e do të plotësohen hap pas hapi. Siç është kushti për të ruajtur rezervat frigoriferike. Bashkia duhet të shërbejë që të jetë dhe garant për punën e fermerëve, pra mes bashkisë dhe fermerëve të ketë një ortakëri.’- tha Rama.


Rama me të rinjtë në Ersekë: “Varianti ik se këtu s’ke mundësi është psikozë…

Kryeministri Edi Rama gjatë turit që po zhvillon në qarkun e Korçës, këtë pasdite ka bashkëbiseduar me të rinjtë në Ersekë. Emigrimi ishte një nga tematikat që diskutoi Rama me këshillin bashkiak rinor dhe të rinjtë e vetëpunësuar në agroturizëm dhe turizëm në Ersekë.Ai u ndal tek ikja e të rinjve, ndërsa vuri theksin se sot jemi një vend me liri lëvizje dhe të rinjtë mund të provojnë eksperienca të reja, por kurrsesi të jenë me idenë se këtu nuk ka asnjë mundësi. Ndersa nënvizoi se vetëm rruga e punës është rruga e vetme, nuk ka asnjë formulë magjike.

”Sot një njeri në moshën tuaj nëse ka vullnetin dhe dëshirën për të hyrë në botën e teknologjisë mund ta bëjë nga këtu. Duke mësuar gjuhën e teknologjisë për një treg që është kudo. Mund të punësohesh në Europë, Australi duke qenë këtu. Varianti ik se këtu nuk ke mundësi është i pavërtetë dhe është psikozë. Midis një pune të zakonshme jashtë dhe një investimi këtu, flasim për investime të mundura.

Nuk do u sugjeroja kurrë që në këtë moshë të iknit. Unë kam qenë emigrant dhe e di shumë mirë çfarë flas, dhe nuk më ka dalë keq dhe nuk mund t’i them askujt mos ik. Por mos ikni kurrë me kotrabandistë dhe rrugë ilegale. Kurrë me idenë se këtu nuk ka asnjë mundësi”.


Gazetari shqiptar: “Sot rinia duhet të emigrojë për të marrë një kulturë të re…

Gazetari Mentor Kikia sot ka bërë një shkrim interesant mbi emigrimin e shqiptarëve. Ai u ka bërë thirrje të rinjve, që të emigrojnë jo thjesht për një rrogë më të mirë, por për të fituar kulturë. Ja çfarë shkruan ai: Sa mirë që të emigronim për të fituar edhe një kulturë të re! Largimi i popullisë është një problem vërtet i madh. Braktisen fshatra e qytete, ikën pjesa më aktive e shoqërisë, nuk ka krahë pune, ikin konsumatorët …dhe të gjitha përmblidhen në një pikë: Kosto ekonomike.

Por mendoj se problemi është më i madh se kaq; ngado të ikim, në cilëndo shoqëri të integrohemi, mbetemi sërish “shqiptarë”. Mbetemi të tillë, edhe nëse nuk dimë të flasim gjuhën shqipe.
Të shumtë janë ata që e shikojnë si një tjetër problem humbjen e identitetit, të gjuhës, lidhjeve të emigrantëve me familjet dhe vendlindjen… Por unë mendoj sërish se e mira e të mirave do të ishte që shqiptarët të ruanin gjuhen dhe lidhjet me mëmëdheun, por të humbisnim ca shumë veti të tjera.

Ose më saktë, të fitonin cë veti e aftësi të reja. Të fitonin një kulturë pune, edukatë qytetare, mjedisore, kulturën e jetesës në komunitet, të respektimit të mjedisit publik…


Dhe, mbi të gjitha, të fitonin një kulturë të re të marrëdhënies me shtetin dhe qeverisjen. Të mos jemi servilë, interesaxhinj, të mos jemi të përulur dhe të nënshtruar, të jemi kryenecë e kryengritës kur na shkelin të drejtat e kur na mashtrojnë, të ngrejmë krye kur na vjedhin e na gënjejnë.

Ta shikojmë shërbimin ndaj vendit dhe popullit si detyrim dhe përkushtim, dhe jo mundësi për të zhvatur e përfituar. Nëse të jetuarit në vende të tjetra, mes popujsh të tjetër të qytetëruar dhe edukuar, do të na ndihmonin të hidhnim një hap evolucionist në këtë drejtim, atëherë udha e mbarë sa më shumë shqiptarëve, në një shkollë që nuk mësohet në shkollë.

Por druaj se ndryshojmë në këtë drejtim. E shikoj këtë tek ata që kur ka zgjedhje ngarkohen me autobuza e vijnë të votojnë për partitë që që u paguajnë biletën e rrugës dhe një sanduiç. E shikoj tek e njëjta mendësi që kanë atë që jetojnë jashtë, si ne këtu, që zgjohemi e flemë duke parë në ekrane Ramën, Berishën dhe Metën.

Me pak fjalë, ajo që dëshiroj të ndodhë është që ne të mos emigrojmë thjeshtë dhe vetëm për bukë dhe kushte më të mira jetese, por të emigrojmë për të përfituar një kulturë të re.

Vollejbollistja shqiptare që kandidoi për deputete: “S’kemi ku të lahemi, dushet janë luks ,le më të paguhemi..

Silvana Bushati thotë se volejbolli besoj se është sporti i parë i harruar në Shqipëri. Në një intervistë në emisionin “Ora Sport” Bushati tregoi për kushtet e vështira me të cilat përballen sportistët këtij sporti në Shqipëri ku sipas saj përveç financave e mungesës së tifozëve mungojnë dhe dushet.

Volejbolli besoj se është sporti i parë i harruar në Shqipëri. Ai që do të bëhet sportist bëhet, por për vetë kushtet që kemi për financat.

Një pjesë e rëndësishme e sportit janë edhe tifozët, gjë që vijnë vetëm familjarët tanë. Edhe ata kur i marrim me zor.

Janë edhe kushtet, rrogat, se çdokush punon për lekë, nuk ka financa. Janë kushtet që unë për vete gjatë gjithë jetës jam larë në shtëpi.

Dushet lanë për të dëshiruar. Nuk janë kushtet për tu larë. Siç luajmë ikim dhe lahemi në shtëpi. Dushi nuk është luks”, tha Bushati, e cila ka kandiduar edhe për deputete me partinë e Kujtim Gjuzit.


Makina u bë copë-copë / Shuhet familja shqiptare në Itali, tre fëmijët ishin 12, 10 dhe 2 vjeç

Një tragjedi ka ndodhur në Itali, në Reggio Emilia, ku humbën jetën 4 anëtarë të një familje shqiptare. Shkak u bë një aksident i rëndë. Makina (Fiat Stilo) me të cilën po udhëtonin 5 anëtarët e familjes doli nga rruga dhe u përplas me një shtëpi të pabanuar. Nëna 22-vjeçare, djali i saj 2 vjeç, ndërruan jetë ndërsa babai që po drejtonte makinën, Orjol Lame, 32-vjeç u transportua në gjendje të rëndë në spitalin Reggio Emilia. 2 viktimat e tjerë janë vëllai (12 vjeç) dhe motra (8 vjeçe) e 22-vjeçares. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:00 në Via Emilia midis Cadé dhe Villa Gaida.

Hohmann: “E mahnitur nga koleksioni unikal i Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë(Foto)

Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë, themeluar më 1980, ruan disa nga thesaret më të vjetra e të çmuara të artit mesjetar shqiptar, të cilat i kanë mbijetuar shekujve e sidomos viteve të ateizmit në komunizëm. Ngjyrat e këtij muzeu, të rindërtuar në vitin 2016, ndërthuren natyrshëm me objektet e ekspozuara duke ofruar një përvojë të rrallë për të gjithë vizitorët. Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann, e cila vizitoi këtë muze, u shpreh e mahnitur nga koleksioni unikal.

“E mahnitur nga koleksioni unikal i Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë. Mbi 7,000 vepra arti që shtrihen në shekuj dëshmojnë për trashëgiminë dhe historinë e pasur të këtyre trevave dhe ne jemi krenarë që kontribuojmë në nxitjen e ekonomisë lokale dhe turizmit në Korçë”, theksoi Hohmann. “

Trashëgimia kulturore shqiptare është pjesë e asaj evropiane”, nënvizoi ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann në një postim në rrjetet sociale./atsh

Radhë kilometrike, ç’po ndodh në pikën kufitare me Greqinë…

Rifillon saga e radheve te gjata per shqiptaret. Radhë të gjata janë krijuar pasditen e sotme në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës. Fluksi i madh paraqitet në dalje nga vendi jonë drejt vendit fqinj. Sipas informacioneve të deritanishme bëhet e ditur se radha e madhe është krijuar për shkak se pala greke punon me numër të reduktuar sportelesh për shkak se ditën e sotme ka pasur festë në Greqi. Situata kaotike me trafik dhe radhë të gjata vazhdon prej 3 orësh. Për momentin pala greke po punon me dy sportele ndërsa dogana shqiptare po punon me 4 sportele.

Eneda Tarifa kapet “mat”, ky është mashkulli që i ka rrëmbyer zemrën (Foto)

Këngëtarja Eneda Tarifa është rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjes. Tashmë ajo është shfaqur krah një mashkulli dhe dyshja kanë vendosur që të mos fshihen. Dyshja mjaft të lumtur e të qeshur pranë njëri-tjetrit. Gjithashtu, për mediat është zbuluar se mashkulli që i ka rrëmbyr zemrën Enedës është Gent Lasku, profesioni i të cilit është basketbollist. Prej kohësh e distancuar nga intervistat, së fundmi këngëtarja ka folur mbi planet e saj të afërta. Dhe po lidhen me karrierën e saj muzikore.

“Unë kam marrë një periudhë pauze nga intervistat sepse më shpërqëndron nga puna ime individuale krijuese për të finalizuar nga prilli ose maji, ëndrrën e çdo këngëtari, një recital. Është kurora e gjithë karrierës tënde.

Ne këtu i kemi si recitale jete, sepse është pak më e rrallë. Tani vjen fundviti dhe nuk kam ndërmend t’i lë festat ku do të thirrem për të performuar, por do përzgjedh që të mos kem lodhje fizike sepse dua të marr energjitë për recitalin, – u shpreh Eneda në një intervistë të dhënë më herët.

Radhët kilometrike në Kapshticë/ Reagon Policia e shtetit: “Punonin vetëm me dy sportele…

Policia kufitare ka reaguar pas fluksit të shtuar të automjeteve në doganën e Kapshticës. Në një njoftim për mediat, policia sqaron se pala greke punonte vetëm me dy sportele duke krijuar kështu rradhë në dalje të Shqipërisë. Policia thotë se ka kontaktuar me homologët për të shtuar sportelet dhe për të aplikuar procedurën e përshpejtuar. Sipas bluve, tashmë situata është kthyer në normalitet dhe janë eleminuar rradhët e makinave në të dyja anët e kufirit.

Njoftim i policisë kufitare:

Gjatë pasdites së sotme në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, ka patur fluks të shtuar të lëvizjes. Për shkak se dogana në palën greke punonte me dy sportele u krijuan radhë në dalje të Republikës së Shqipërisë. Policia Kufitare e Kapshticës menjëherë mori takim me homologët e në doganën greke të cilët pas takimit shtuan sportelet dhe aplikuan procedurën e përshpejtuar.

Falë masave të marra lëvizja ka qenë e njëtrajtshme nga të dyja anët e kufirit duke eleminuar radhët e krijuara. Aktualisht në këtë pikë kalimi nuk ka radhë dhe lëvizja paraqitet normale.

Prekëse/ Qeni fle mbi varrin e pronarit (Video)

Një video është bërë virale në rrjetet sociale. Një qen është duke fjetur mbi arkivolin e pronarit të tij në varrezat e Shkodrës. Pamjet janë dërguar tek JOQ nga një qytetar, i cili thuhet se i sheh çdo ditë këto pamje. Videoja është mjaft emocionuese dhe të gjithëve atyre që e kanë parë u kanë kujtuar skenën e filmit “Hachiko”. Për më tepër emocione shiheni vetë videon.

https://www.instagram.com/p/CkWXHS5Lb7V/?utm_source=ig_web_copy_link

Djali shqiptar: Më tallin në Greqi se e kam emrin Gazment, ja arsyeja

Sot në rubrikën “Shihemi në gjyq” ne tv Klan, përballë janë vënë nënë e bir dhe arsyeja është emri. Djalin e quajnë Gazment, por ai rrëfehet se në shtetin fqinj ku jeton në Greqi, e tallin pasi emri i tij ka një kuptim tjetër në atë gjuhë. E ëma i afrohet ta përqafojë por ai e refuzon. Ndër të tjera thotë se në Greqi e shajnë dhe qeshin me të për shkak të emrit, duke thënë se edhe sot e kësaj ditë e ka problem këtë “Emri im është Gazment. Ka një problem që në greqisht është një emër për të cilin mua më në Greqi më qeshin. Në greqisht i thonë kazmë. Edhe sot e kësaj dite e kam problem këtë”, tha Gazmenti.

Çfarë po ndodh me Euron dhe Dollarin ,ja me sa këmbehen sot …

Ashtu si gjatë gjithë javës kryeson paundi britanik, që kap kuotat e 136 lekëve, ndërsa dollari amerikan dhe euro kanë qenë thuajse “kokë më kokë” me njëra-tjetrën. Kështu sot dollari amerikan blihet me 117.8 lekë dhe shitet me 119 lekë. Euro blihet me 117.6 lekë dhe shitet 118.4 lekë. Ndersa ne tregjet nderkombëtare ka shënuar barazim te plotë ,ku 1 euro = 1 dollar.

Merreni seriozisht ju lutem: “Shqiptarët po ikin, fenomeni është bërë aq masiv, sa po ndihet kudo….

Shqiptarët po ikin! Ky lajm, në fakt, nuk është i ri. Që pas viteve ’90, shumë banorë të vendit u larguan për një jetë më të mirë. Në atë kohë ikën me çfarë të mundnin, me anije, përmes ambasadave, më pas me gomone, duke rrezikuar seriozisht jetën. Në atë kohë ishte një proces praktikisht i pandalshëm. Shqipëria vinte nga një regjim diktatorial, që kishte mohuar shumë mundësi dhe e kishte çuar popullsinë në një varfëri ekstreme dhe uri për të parë “botë me sy”.

Emigracioni i asaj periudhe kishte dhe anët e veta pozitive, teksa remitancat u bënë një burim i rëndësishëm i të ardhurave dhe konsumit në vend dhe shumë individë u kthyen, duke hapur biznese e duke sjellë përvojën e Europës, kryesisht të Italisë e Greqisë. Ngjarjet e ‘97-s nxitën një tjetër valë si pasojë e pasigurisë për jetën, një faktor i ri shtytës për emigracionin. Stabilizimi i ekonomisë pas viteve 2000 e ngadalësoi ritmin e emigracionit. Ekonomia e vendit po rritej, kishte më shumë mundësi për të rinjtë, kompani të huaja të mëdha po hynin në vend, duke ofruar vende pune me paga relativisht të larta.

Hapja e një biznesi në një treg, ku konsumi ishte i lartë, ishte një tjetër alternativë për të siguruar jetesën.

Liberalizimi i vizave me BE-në, përkundër pritshmërive dhe fenomeneve të ngjashme në ish-vendet komuniste, nuk u shoqërua me valë emigrimi. Përkundrazi, një valë tjetër ikjesh nisi në vend në 2015-n. Kërkesat për azil u rritën në mënyrë drastike, duke arritur në gati 70 mijë atë vit. Ndonëse në ulje në vijim, sërish ikjet mbetën të larta, duke u frenuar disi gjatë periudhës së pandemisë, si rrjedhojë e kufizimeve në lëvizje. Që pas pandemisë, vendi është përfshirë sërish në një cikël të heshtur emigracioni, sidomos të të rinjve, por edhe familjeve, përfshirë edhe ato që klasifikohen në shtresën e mesme.

Fenomeni është bërë aq masiv, sa po ndihet kudo.

Tre vite më parë, bizneset ankoheshin se nuk po gjenin punonjës. Sot, ankohen se jo vetëm nuk po gjejnë punonjës, por rënia e popullsisë është aq e fortë, sa po ndihet në frenimin e konsumit.Bizneset janë futur në një rreth vicioz, ku mosgjetjen e punonjësve po mundohen ta kompensojnë me rritje të pagave, që po i transferojnë në kosto dhe kjo, nga ana tjetër, po çon në rënie të konsumit, si të mos mjaftonte dhe inflacioni që ka kapur rekordet e 23 viteve, si rrjedhojë e situatës së trazuar globale.


Marrja e punonjësve të huaj po rezulton dështim, siç pohojnë shumë sipërmarrës që e provuan këtë “eksperiment”, për të kompensuar hemorragjinë e fuqisë punëtore Kryeministri nuk e ndien shqetësimin dhe e përdor si argument justifikues se nuk ka çfarë u bën e nuk mund të konkurrojmë me pagat që jep Gjermania apo Europa Perëndimore. Ky është një fenomen, që po e hasin dhe shtete të tjera të Europës, si Çekia, apo Kroacia, Polonia, Bullgaria etj., thonë anëtarë të tjerë të qeverisë.

Po, është e vërtetë, emigracioni është një proces normal, që do të ekzistojë gjithnjë dhe asnjëherë nuk mund të frenohet plotësisht.

Por, në Shqipëri është kthyer në një hemorragji të pandalshme.Shqetësimi nuk është tek ikja në vetvete, por te ritmet e larta me të cilat njerëzit po largohen, arsyet për të cilat ata po largohen. Të rinjtë, ashtu si në vitet ’90, nuk ngurrojnë që të rrezikojnë jetën, duke ikur drejt Mbretërisë së Bashkuar me gomone. Në një vend që zyrtarisht ka 2.8 milionë banorë (jo zyrtarisht nuk dihet, pasi Censi po shtyhet vazhdimisht, si të mos duan ta dinë se çfarë po ndodh realisht në vend), fshatra dhe qytete të tëra të vogla po zbrazen.

Shqiptarët ikin më shumë dhe se nga vendet që janë në luftë, apo në konflikte etnike.

Në raport me popullsinë, Shqipëria është e dyta për kërkesat për azil në botë. Kjo është e tepërt për një vend kandidat për në Bashkimin Europian dhe në një periudhë afatmesme pritet të bëhet pjesë e tij. Është e dukshme që pesimizmi ka mbërthyer atë brez që duhet të ishte shpresa për të ardhmen e vendit, por sot nuk arrin ta gjejë veten mes konflikteve pa fund të politikës, ekonomisë që nuk prodhon punësim të qëndrueshëm, me paga të përshtatshme dhe mbetet larg zhvillimeve teknologjike.

Si një formë e heshtur proteste po zgjedhin të largohen. Ka shumë arsye për t’u shqetësuar dhe që politikanët të fillojnë ta marrin seriozisht fenomenin dhe të përpiqen ta frenojnë atë.Përndryshe, emigracioni pritet të shkaktojë zhbalancime më të thella sociale dhe ekonomike, që nuk mund të parashikohet nëse do të mund të riparohen në dekadat e ardhshme./ MONITOR