Kur nga Korça në Tiranë, ishte vetëm 1 orë !

“Korça është një qytet që të habit, është i pastër, shumë i pastër, madje qyteti më i pastër që kam parë në Perandorinë Turke, me rrugë të drejta të shtruara mirë, pa qenë e plehra nëpër këmbë…” (Edith Durham) .

Parisi i vogël”, apo “Korça e serenatave”!


Quajeni si të dëshironi, qytetin e Mësonjëtores së Parë!

Bekuar me një natyrë të mrekullueshme, qyteti i vogël juglindor i Shqipërisë është përplot thesare. Ruhen aty, trashëgimi kulturore në arkitekturë, urbanistikë, monumente kulture etj. Por kësaj here, do të sjellim në vëmendje Korçën e fluturimit të parë me avion./Konica.al

Më 14 mars 1925, u nënshkrua kontrata koncesionare, me afat dhjetëvjeçar, midis qeverisë shqiptare, të përfaqësuar nga ministri i Punëve Botore dhe i Bujqësisë, Kostaq Kotta, dhe shoqërisë gjermane “Adria Aero Lloyd”, të përfaqësuar nga i ngarkuari i saj Otto Habermehl. Ashtu siç e parashikonte kontrata, shërbimi ajror fillimisht kryhej dy herë në javë, në linjat e rregullta Tiranë-Shkodër, Tiranë-Vlorë, Tiranë-Korçë dhe kthim.


Fluturimi i parë, në linjën Tiranë-Vlorë, u krye më 30 maj 1925, ndërsa në linjat Tiranë-Shkodër dhe Tiranë-Korçë, më 1 qershor 1925.

Transporti ajror ndërmjet kryeqytetit dhe qyteteve kryesore të Shqipërisë, ishte një zgjidhje për një udhëtim të shpejtë për pasagjerët, tregtarët, postën dhe për mallra të caktuara, prandaj në vitet që pasuan ai njohu një zhvillim të konsiderueshëm.


Më 6 mars 1927, gazeta “Telegraf” njoftonte se shoqëria gjermane “Adria Aero Lloyd” ia shiti koncesionin e saj shoqërisë italiane “Ala Littoria S.A.”.

Fluturimi Tiranë-Korçë zgjaste vetëm 1 orë! Avionët ishin të vegjël, me helikë dhe pilotoheshin nga aviatorë italianë. Nisja nga Tirana bëhej në 7.00 të mëngjesit dhe mbërrinte në Korçë në orën 8:00, kurse nga Korça nisej në orën 8:30 dhe mbërrinte në kryeqytet, në 9:30.

Fluturimi, pas vitit 1930, bëhej çdo ditë.

*** Në fotografinë kryesore: Fusha e aviacionit në Korçën e viteve ’30-të/Konica

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: